Lajm

Kroacia kritikon raportimet e mediave austriake për “fashistë në Bleiburg”

Ministria e jashtme e Kroacisë publikoi një deklaratë për shtyp duke dënuar mediat austriake për raportet e saj mbi përkujtimoren e përvitshme në Bleiburg, e cila shënon vrajsen e trupave kolaboracioniste naziste kroate dhe civilëve të kapur në fund të Luftës së Dytë Botërore.

This article is also available in: English Македонски Bos/Hrv/Srp


Përkujtimorja pranë Bleiburgut, Austri  në maj 2018. Foto: EPA-EFE/ALEX HALADA.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Kroacisë i dërgoi të enjten një njoftim për shtyp mediave austriake dhe kroate për të shprehur “keqardhje të thellë” rreth raportimit të përkujtimoreve kontraverse të përvitshme në Bleiburg në Austri, të cilat sponsorizohen nga parlamenti kroat.

Ajo tha se raportet që sugjeronin se përkujtimorja është një “mbledhje fashiste”, “mbledhja më e madhe e neonacistëve në BE”, një “mbledhje e ekstremit të djathtë” ose një “mbledhje e ustashëve” ishin të gabuara.

Deklarata për shtyp tha se përgjithësimet e mediave “që lidhin Kroacinë dhe popullin e saj me ringjalljen e mendimeve fashiste” ishin një “fyerje e dhimbshme”.

Ajo tha gjithashtu se ishte ofenduese të etiketoheshin si fashistë “shumë anëtarë të familjeve të viktimave, si dhe përfaqësues të qeverisë dhe autoriteteve të kishës” që marrin pjesë në përkujtimoren e përvitshme, pavarësisht disa “rasteve individuale, të cilat duhen dënuar fuqimisht”.

Në përkujtimoren në Bleiburg në vitin 2018, policia austriake arrestoi shtatë persona dhe paraqiti nëntë ankesa për shkelje të ligjit të vendit kundër lëvdimit të fashizmit.

Ministria kroate nxori një njoftim për shtyp pasi Kisha Katolike në Carinthia në Austri të premten hodhi poshtë një kërkesë nga Konferenca e Peshkopëve Kroatë për të mbajtur një meshë vjetore në Loibacher pranë Bleiburg në maj të këtij viti, sepse tha se eventi po përdoret për të promovuar ide nacionaliste.

Engelbert Guggenberger, administrator i përkohshëm i Dioqezës së Gurk-Klagenfurtit, shpjegoi se vendimi u mor për shkak se “mesha në fushën pranë Bleiburgut është bërë pjesë e një manifestimi që është instrumentalizuar politikisht dhe është pjesë e një rituali politik-nacionalist që i shërben përvojës selektive dhe interpretimit të historisë”.

Simbolet e lëvizjes fashiste ustashe të Luftës së Dytë Botërore janë parë shpesh në eventin e përvitshëm të krahut të djathtë kroat në Bleiburg, i cili përkujton dhjetëra mijëra trupat kroate naziste dhe civilë të vrarë nga partizanë jugosllavë në vitin 1945.

Kryetari i parlamentit kroat Goran Jandrokoviç tha të mërkurën se përkujtimorja në Bleiburg do të mbahet përsëri këtë vit dhe se parlamenti do të jetë organizatori, por se ata “nuk do të festojnë Shtetin e Pavarur të Kroacisë (të kohës së Luftës së Dytë Botërore i udhëhequr nga ustashët) dhe regjimin ustash.

Jandrokoviç gjithashtu vuri në dukje se ndalimi i mbajtjes së një meshe lidhet vetëm me peshkopët, por një ceremoni fetare mund të mbahet edhe nga një prift.

Në maj të vitit 2016, parlamenti kroat vendosi të rivendosë sponsorizimin shtetëror të eventit në Bleiburg pasi u tërhoq në vitin 2012 për shkak të shqetësimeve se ai shërbente për të rehabilituar ideologjinë e regjimit ustash.

Më parë këtë vit, Ministria e Brendshme e Austrisë e ndaloi shfaqjen e dy simboleve të lëvizjes ustashe kroate – shkronjën “U” me një granatë dhe stemën e armëve të Shtetit të Pavarur të Kroacisë të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Ndalimi hyri në fuqi më 1 mars dhe gjobat për shkeljen e tij do të jenë deri në 4,000 euro, ose 10,000 euro për shkelësit e përsëritur, njoftoi media austriake.

Lista e simboleve të ndaluara përfshin gjithashtu ato të Hamasit, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Vëllazërisë Myslimane dhe organizatës turke ultra-nacionaliste Ujqërit Gri. Ajo zgjeron një ndalim ekzistues për përdorimin e simboleve të al-Kaidës dhe ISIS.

Anja Vladisavljevic


This article is also available in: English Македонски Bos/Hrv/Srp

Copyright BIRN 2015 | Terms of use | Privacy Policy

Supported by